Strategjia e shumëdiskutuar e Komisionit Europian për kthimin e besimit te procesi i zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor miratohet të martën, në takimin e Kolegjit të Komisionerëve në Strasburg.
Pas kësaj, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker do ta paraqesë atë personalisht para deputetëve të Parlamentit Europian, ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë detyrën t’a prezantojnë para gazetarëve.
Përmbajtja e pjesës më të madhe të draftit dihet tashmë. Ky është praktikisht dokumenti që tregon se vetëm dy vende, Serbia dhe Mali i Zi, kanë mundësinë t’i bashkohen bllokut deri në vitin 2025. Shqipëria është në mesin e aspirantëve, për të cilët Brukseli do të mjaftohet me mesazhin se, deri atëherë duhet të kenë avancuar në rrugën e vet europiane.
Shpresat janë që vendi ynë të marrë këtë vit një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit, por çdo gjë do të varet nga rezultatet e mëtejshme konkrete në 5 prioritetet kyçe.
Fakti që paraqitja e strategjisë i është besuar zyrtarëve më të lartë të bllokut dëshmon rëndësinë që ka ajo për Komisionin Europian. Deklaratat e para të Junckerit, pas marrjes së detyrës, i prenë rrugën optimizmit mbi perspektiven e zgjerimit.
Juncker, asokohe, do ta bënte të qarte se politikat e shtrirjes së bllokut nuk do të gjenin hapësirë gjatë mandatit të tij.
Por në sfondin e frikës së rritjes së ndikimit rus në rajonin e trazuar, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin europian pas largimit të Britanisë në vitin 2019, situata ka ndryshuar, e kjo reflektohet qartë tek ngjarja e së martës, e konsideruar si moment kyç në lidhje me marrëdhënien e re që mund të krijohet mes Brukselit dhe Ballkanit Perëndimor.
Top Channel