Shirli Valentina, një shfaqje për burrat

05/02/2018 14:55

Ajo është një 42-vjeçare që ka rritur dy fëmijë dhe e ka lënë jetën e saj ta rrëmbejë rutina. Ndërsa tashmë e ka kuptuar që duhet t’i rikthehet edhe njëherë kohës kur ishte një çupëlinë e mbushur plot me ëndrra për të ardhmen.

Mes humorit të zgjuar, apo të hidhur kjo grua pëlqen të qëndrojë në kuzhinë e të bëjë monolog me murin. Kjo është Shirli Valentina, personazhi që autori britanik Willy Russell e krijoi që në vitet ‘80, e që e ka shëtitur në shumë teatro si një “One woman show”. E që pas Korçës dhe Durrësit do të vijë në Teatrin Kombëtar prej 8 shkurtin, me aktoren Olta Daku, dhe në regjinë e Driada Dervishit.

“Tek Shirli të gjitha femrat, por në fakt edhe meshkujt, të gjithë gjejnë veten. Të gjitha femrat në një farë mënyre duhet të arrijnë në një pikë për t’u rikujtuar, që në fakt ne ishim ato vajzat e reja dikur. Pastaj krijuam një familje për të mos humbur pikërisht gëzimin e të jetuarit”, thotë regjisorja Driada Dervishi.

“Kisha nevojë për një personazh të tillë. Një sfidë shumë e madhe sigurisht. por më ka plotësuar shumë bukur. Më duket sikur jemi marrë vesh shumë mirë me njëra-tjetrën. Vjen një moshë, njëfarë pjekurie, që çdo aktore ka nevojë për mundësi të mira”, thotë aktorja Olta Daku.

Si regjisore e teatrit të Durrësit për Dervishin takimi me publikun e atyshëm është gjithmonë i dëshiruar, aq më tepër kur ajo e rrëfen me një shembull të tillë.

“Madje duhet thënë që me Shirlin e kam ndierë emocionin më shumë se asnjëherë tjetër, që jam detyruar që çdo ditë në shfaqe të shtoja karrige plus dhe kjo nuk është që ndodh shpesh në sallat e teatrit, mbas katër ditësh ishin zgjedhjet. Të gjithë zgjodhën teatrin dhe jo zgjedhjet”, kujton Dervishi.

Me Shirlin zakonisht janë solidarizuar më shumë gratë, por kjo shfaqe ka sidomos një ftesë të veçantë edhe për burrat.

 

Top Channel