Philadelphia Eagles shkaktoi suprizën dhe fitoi edicionin e 52-të të finales së “Super Bowl”-it, një sukses të cilin e arriti për herë të parë në historinë e saj.
Në “US Bank Stadium”, “Eagles”-at mposhtën skuadrën që ka krijuar dinastinë e saj në National Football League, New England Patriots, 41-33.
Këtë radhë, skuadra nga Bostoni dhe “quarterback”-u i saj Tom Brady nuk ia dolën të bëjnë një përmbysje të rezultatit, pavarësisht se 40-vjeçari i “Patriots”-ave theu rekordin e tij për sa u përket “yard”-ëve për pasim, 505.
Kjo, sepse mbrojtja nuk e ndihmoi aq sa duhej, e së dyti, përballë kishte Nick Foles, që ishte i papërmbajtshëm dhe u shpall “MVP” i “Super Bowl”-it.
Philadelphia zhvilloi një ndeshje praktikisht perfekte përballë gjigantëve të New Englands. Dy periodat e para, “Eagles”-at i mbyllën me avantazhin 22-12, me Foles që pothuajse nuk gaboi asgjë, madje arriti të shënojë edhe “touchdown”, ndërkohë që Brady bënte gabime të pazakonta për të.
Megjithatë, New Englands tregoi se di të reagojë dhe të rikuperojë në rezultat. Në fillimin e periodës së katërt, “Patriots”-at morën për herë të parë kryesimin në rezultat, 33-32. Pikërisht në momentin më të mirë të kampionëve nga Bostoni, “Eagles”-at rimorën avantazhin në 38-33, falë një “touchdown”-i të Ertz, i lëshuar në zonë nga Foles, që regjistroi 400 yardë pasimi për 3 “touchdown”.
Pak çaste më vonë, Brady humbi topin në aksionin vendimtar, top të cilin ia rrëmbeu Graham. Ndeshja u mbyll me një “field goal” për Philadelphian, që fiksoi shifrat në 41-33.
Top Channel