Boston Celtics fitoi një ndeshje të vështirë ndaj Portlandit, në sfidën e radhës në NBA, me rezultatin 97-96.
Për kryesuesit e Konferencës së Lindjes nuk ishin në parket Irving, Morris dhe Smart, e detyra për të nxjerrë skuadrën nga telashet i kaloi Al Horford.
Ky i fundit e mbylli ndeshjen me 22 pikë e 10 topa në tabelë, por ajo që pati më shumë vlerë për të ishte gjuajtja e saktë e tij në sekondën e fundit të sfidës, që i dha mundësinë Bostonit të parakalojë Portlandin dhe të fitojë përballjen.
“Blazers”-at e kryesuan ndeshjen për pjesën më të madhe të kohës dhe në 7 sekondat e fundit e menduan të siguruar fitoren, kur gjuajtja e saktë e Lillard për 3 pikë i dha avantazhin me 1 pikë diferencë. Por, magjia e Horford i prishi festën skuadrës së Portlandit, duke bërë që “TD Garden” të shpërthejë nga entuziazmi i tifozëve.
Sukses shënoi edhe Toronto, që mposhti Memphisin me rezultatin 101-86. “Grizzlies”-at arritën të rivalizojnë me Raptors gjatë 3 periodave të para, por në 12-minutëshin e fundit, skuadra kanadeze mori përfundimisht kontrollin e ndeshjes, duke regjistruar fitoren e 36 sezonale.
Për Toronton, në këtë ndeshje nuk pati një basketbollist që të spikaste më shumë sesa të tjerët. DeRozan shënoi 13 pikë, Valanciunas 12, Wright 15 pikë dhe VanVleet 13 pikë. Për Memphisin, Marc Gasol e mbylli ndeshjen me 20 pikë, por që nuk i shërbyen shumë skuadrës së tij.
Momenti pozitiv i LA Lakers vazhdon, duke mposhtur Oklahomën 108-104, e duke shënuar fitoren e 6 në 8 ndeshjet e fundit. Për kalifornianët, Lopez me 20 pikë dhe Randle me 19 ishin më të mirët në parket, ndërsa në krahun tjetër, te “Thunder”-sat spikati i zakonshmi Westbrook me 36 pikë, 9 asiste dhe 5 topa në tabelë.
Për Oklahomën, që e zhvilloi ndeshjen me Lakers në fushën e saj, kjo ishte humbja e 4-t radhazi dhe tashmë e sheh veten shumë larg skuadrave kryesuese të Konferencës së Perëndimit.
Top Channel