Heqja e barrierave tarifore dhe jotarifore kryesisht në sektorin e doganave mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka qenë një nga kërkesat kryesore të prodhuesve shqiptarë andej e këtej kufirit, adresuar qeverive përkatëse.
Në takimin e përbashkët mes Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës, është diskutuar lidhur me problemet që sipërmarrjet tregtare të të dy shteteve hasin gjatë aktiviteteve të tyre, duke shtruar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive.
Heqja e barrierave tarifore dhe jotarifore në sektorin doganor mes Shqipërisë e Kosovës, heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë, heqja e pagesës për terminalet doganore në Kosovë, si dhe pjesëmarrja e Klubeve të Prodhuesve të të dy vendeve në mbledhjet e dy Qeverive, ishin mes kërkesave të tyre.
Mbështetja për ta nuk mungoi, e në favor të tyre foli edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, sipas të cilit ky është momenti i duhur për të dhënë këtë shembull të mirë, duke qenë se Kosova do të drejtojë sivjet CEFTA-n, që ka për objektiv krijimin e lehtësirave.
Limaj tha se Qeveria e Kosovës, sikurse edhe ajo e Shqipërisë, e kanë për detyrë që të mbështesin krijimin e një partneriteti të fuqishëm të bizneseve, me theks të veçantë në heqjen e taksave, duke krijuar një treg me përmasa konkurruese edhe për tregjet e tjera.
Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani shprehu mbështetje për nismën e marrë nga prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë, teksa theksoi se bilanci tregtar mes dy vendeve duhet të ndryshojë në vlera më të mëdha për të dyja palët.
Ndërkohë, sipas prodhuesve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, marrëveshjet e arritura deri tani mes dy qeverive kanë mbetur vetëm në letër, pasi nuk ka filluar ende implementimi i tyre.
Top Channel