I dyshuari si vrasësi me pagesë i Devi Kasmit, ish-polici grek Eftimius Eftimiu u la në masën e sigurisë arrest me burg pasditen e së hënës nga Gjykata e Tiranës.

Argumenti i përdorur si alibi se qëllimi i ardhjes në Tiranë ishte për turizëm dhe garancia pasurore prej 10 mijë eurosh nuk e bindën gjyqtaren Adriana Bera që të jepte një masë më të butë ndaj Eftimiut.

Në arrest me burg u lanë edhe Elton Halipaj, Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari si bashkëpunëtore të grekut në vrasjen e Devi Kasmit.

Avokati i Eftimiut, Sajmir Visha i hedh poshtë akuzat si të palogjikshme.

“Nuk dëgjova asnjë akuzë ndaj klientit tim. Ai ka qenë një efektiv i forcave speciale që për 13 vjet ka mbrojtur prokurorë, gjyqtarë dhe qytetarët dhe nuk mund të vijë në Shqipëri për të vrarë”, tha avokati Visha.

Pritet që ky vendim për masat e sigurisë arrest me burg të apelohet brenda 5 ditësh nga avokatët mbrojtës.

41-vjeçari Devi Kasmi u ekzekutua pasditen e 29 janarit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi 3 kilogramë kokainë, drogë LSD dhe armë.

Kasmi ishte kthyer së fundmi nga vendet e Bashkimit Europian, ku dyshohet se ishte i përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës.

 

Top Channel