Klasa politike në Kosovë nuk po gjen dot gjuhën e përbashkët për ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendojse përsëriti qëndrimin e saj të palëkundur për të mos votuar marrëveshjen e nënshkruar që në vitin 2015, madje i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë anëtarët e komisionit të palës kosovare për shkelje të Kushtetutës së vendit.

E nën këtë klimë, në Prishtinë do të mbërrijë të martën Kryeministri malazez, Dushko Markoviç.

KosovaPress raporton se Markoviç do të zbresë në aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 08:00, ku do të pritet nga zv.Kryeministri Begjet Pacolli dhe ambasadori malazez në Kosovë, Ferhat Dinosha.

Markoviç do të ketë disa takime me udhëheqësit kosovarë, përfshirë Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Në axhendën e publikuar nuk flitet për demarkacionin kufitar, por me gjasa kjo çështje do të shtrohet në tryezën e bisedimeve.

Top Channel