Serie A, Juve “shpartallon” Sassuolon. Milani ngec nga një autogol

04/02/2018 16:59

Juventusi është treguar i pamëshirshëm në këtë javë të 23-të të Serie A, duke shënuar plot 7 gola në portën e rivalit të radhës, Sassuolo, në ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Stadium” të Torinos.

Një ndeshje që, ndonëse u vendos që në 45 minutat e para të lojës, kur u shënuan 4 gola nga Alex Sandro, Khedira me dygolësh dhe Miralem Pjaniç, pa bardhezinjtë të vendosnin diktatin e tyre edhe në pjesën e dytë, kur Higuain shënoi tri herë emrin e tij në tabelën e golashënuesve.

Me këtë fitore prepotente, Juventusi ngjitet në krye të Serie A, me 59 pikë të grumbulluara, në pritje të reagimit të Napolit në sfidën e mbrëmjes ndaj Beneventos, në transfertë.

Ndërkohë, Milani nuk mundi të ruajë avantazhin e sigluar nga Suso vetëm 9 minuta pas fillimit të lojës në takimin me Udinesen, në Friuli, e në pjesën e dytë jo vetëm që mbeti në inferioritet numerik si pasojë e ndëshkimit me të kuq të mbrojtësit Calabria, por pa portierin Donnarumma t’i bënte “gjëmën” skuadrës së tij, me një autogol.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Gattuso humbën kështu rastin t’i afroheshin Sampdorias së vendit të gjashtë, duke mbetur tashmë në të tetin, pas Atalantës.

Në ndeshjet e tjera të Serie A, bergamaskët ku aktivizohet edhe Etrit Berisha mposhtën 1-0 Chievon, Fiorentina triumfon 2-1 ndaj Bolognas në transfertë, ndërsa Cagliari mori një fitore të pastër 2-0 ndaj Spalit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA