Kategoria Superiore ka mbyllur ndeshjet e javës së 18 të saj me fitoren e Partizanit, 2-1 përballë Kamzës në “Selman Stërmasi”, duke bërë të mundur vetëm rokadën mes këtyre dy ekipeve në vendet 5-6 të renditjes.
Për “hakmarrjen” ndaj kamzalinjve, pas humbjes në fazën e parë me rezultatin 1-0 në favor të “bluve”, “të kuqve” u ka mjaftuar dygolëshi i Jasir Asanit, shqiptaro-maqedonasit që gjeti rrjetën dy herë brenda 27 minutave të para të lojës.
Edhe pse ndeshja ishte e dyluftuar, Kamza nuk mundi të bënte më shumë sesa shkurtimi i diferencës së golave brenda 45-minutëshit të parë, me anë të Sebino Plakut, teksa në pjesën e dytë Partizani goditi edhe traversën me anë të Trashit.
Disa minuta nervozizmi u shënuan në fundin e ndeshjes, që gjithsesi nuk ndikuan në rezultat.
Partizani, edhe pse pa trajnerin Starova të dënuar dhe me Klevis Dalipin në krye të pankinës, numëron tashmë 27 pikë, dy më pak sesa Kukësi që mban vendin e fundit që të çon në kupat e Europës vitin e ardhshëm, ndërsa kreu është shumë larg, me Skënderbeun në kuotën e 40 pikëve.
Top Channel