La Liga, Pique shpëton nderin e Barçës në derbin katalanas

04/02/2018 18:16

Barcelona vinte në përballjen e radhës për javën e 22-të të La Ligës, pa stresin që mund të shkaktojë gara për titullin, kjo për shkak se ndjekësi më i afërt, Atletico Madrid, ishte 11 pikë larg.

Por, në fushën e lojës luhej “nderi”, në një sfidë derbi me Espanyolin, ku pavarësisht se përballen një superfuqi me një skuadër modeste që lufton për mbijetesë, nervat janë tejet të tendosura.

Në fakt, Barcelona zbriti në fushë me një rotacion, duke lënë Messin e shumë titullarë të tjerë në stol, e duke i dhënë mundësinë e debutimit zyrtar Coutinhos me fanellën “blaugrana”. 45 minutat e para u mbyllën në barazim, me rrjeta të paprekura.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, ishte Espanyoli që gjeti rrugën e golit, me anë Morenos, kur akrepat e orës shënuan pak më shumë sesa një orë lojë, në një kohë që Valverde kishte hedhur në fushë edhe yllin e ekipit, Leo Messin.

Gjithsesi, “blaugranat” nuk u dorëzuan dhe falë “pleshtit”, që kontribuoi me një asist për mbrojtësin shtatlartë Gerard Pique, arritën të barazonin shifrat në 1-1.

Tashmë Barcelona kryeson me 58 pikë, 12 më shumë sesa Atletico që duhet të zhvillojë ndeshjen e saj, e plot 19 nga rivalët e përjetshëm të Realit të Madridit, ndërsa Espanyoli humbi dy pikë në betejën për mbijetesë, edhe pse është e distancuar me 8 pikë nga zona e ftohtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA