Prania kineze në Serbi po bëhet gjithmonë e më e dukshme në syte e opinionit publik. Qindra serbë e kinezë u mblodhën bashkë në kampusin e Universitetit të Beogradit, për të marrë pjesë në kremtimet e Vitit të Ri hënor.
Barriera e gjuhës nuk e pengoi audiencën të tregonte interes maksimal ndaj spektaklit.
Shfaqja nuk ishte veçse një pjesëz e “puzzle”-it të madh të marrëdhënieve serbo-kineze, të forcuara ndjeshëm kohët e fundit.
Dy vendet i dhanë një shtysë të qenësishme bashkëpunimit mes tyre vitin e kaluar, gjë që u pa qartë me rritjen e numrit të kompanive dhe punëtorëve kineze në Serbi.
Linja ajrore “Hainan Airlines” nisi fluturimet e drejtpërdrejta Beograd-Pekin, e shtatorin e 2017 filloi ndërtimi i qendrës së parë kulturore kineze në Ballkan.
Struktura, që llogaritet të kushtojë 53 milionë dollarë, do të ngrihet në vendin ku ndodhej Ambasada e Kinës në Beograd, e shkatërruar majin e vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s.
Në jugperëndim të kryeqytetit serb, ndërkohë, inxhinierë kinezë e punëtorë të grupit “Shandong Hi-Speed” po shfrytëzojnë kushtet e favorshme atmosferike për të përmbushur afatin e përfundimit të autostradës së re në zonën e Ubit.
Top Channel