Fillimisht u përjashtua përkohësisht, më pas u tentua shitja e tij në Kinë, por në fund Radja Nainggolan mbeti te Roma, duke bërë të lumtur tifozët verdhekuq.
Vetë belgu shprehet mjaft i lumtur në kryeqytetin italian dhe pranon se është gati të firmosë rinovimin përjetë, nëse i ofrohet.
“Te Roma ndihem mjaft mirë dhe dëshiroj të qëndroj sa më gjatë. Jam gati të firmos edhe një rinovim të përjetshëm, nëse më ofrohet, pasi do të më pëlqente të mbyllja karrierën këtu”, u shpreh Nainggolan.
Vitin e kaluar verdhekuqtë luftuan deri në fund me Juventusin, për titullin kampion, ndërsa këtë sezon kanë dalë jashtë garës për vendin e parë, që në mes të kampionatit.
“Nga pikëpamja e numrave dhe e cilësisë, jemi akoma më mirë këtë sezon. Kanë qëndruar të gjithë dhe na janë shtuar disa elementë mjaft interesantë dhe të talentuar. Gjithsesi, na mungon prezenca e Francesco Tottit në dhomat e zhveshjes. Ai ishte një figurë emblematike dhe një kapiten i denjë për këtë skuadër”, shprehet belgu.
Beteja për titull është mes Napolit dhe Juventusit, ndërsa Nainggolan, ndonëse shquhet si një kundërshtar i bardhezinjve, thotë se pikërisht këta të fundit kanë më shumë shanse për të triumfuar.
“Napoli luan një futboll shumë të bukur dhe deri tani ka treguar se është një hap para të tjerëve dhe meriton titullin. Gjithsesi vlen të shikohet se sa ndërrime kanë në ekip, pasi kanë luajtur thuajse gjithmonë të njëjtët futbollistë. Nga ana tjetër, te Juventusi luajnë të gjithë, pa humbur cilësia e lojës dhe premtojnë më shumë qëndrueshmëri”, tha Nainggolan.
Top Channel