Një ditë pas seancës së ndezur parlamentare, opozita iu kthye qetësisht punës në Kuvend në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, ku prezantoi nismën për ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të përkohshëm.

“Propozimi ka 3 pika kryesore. Emërimi i një prokurori të përgjithshëm jo politik, me veting dhe përcaktimi i një mekanizmi zhbllokues”, deklaroi demokrati Enkelejd Alibeaj Alibeaj.

Opozita e cilëson zgjedhjen e kryeprokurores Marku 18 dhjetorin e kaluar si antikushtetues, me qëllim kapjen politike të akuzës, duke dhënë edhe shembuj.

“Prokurori i përgjithshëm, që është autoriteti i vetëm që duhet të rakordojë informacionin mes prokurorive rezulton bashkëautore në ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitit, trurit të grupit Habilaj”, thotë Alibeaj.

Në fjalën e mbajtur, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se Prokurori i Përgjithshëm është shndërruar në zgjatim të Kryeministrit.

“Dhe e gjithë struktura e Prokurorisë së Përgjithshme po shkon drejt politizimit. Nga 18 dhjetori, kanë ndodhur ngjarje të mëdha që rrjedhin nga një akt politik. Çështje të nxehta për kryebashkiakët e Elbasanit dhe Durrësit janë ndalur, janë ulur dënime në çështje të bujshme dhe të tjera çështje nën hetim po sabotohen e kapaku i këtij vendimi është ekstradimi i Nezar Seitit”, deklaroi Alibeaj.

Sipas PS-së, demokratët kanë tjetër qëllim.

“Synon ta kthejë reformën në dhjetor 2016, zhbërjen e reformës. Pra synon ta ktheje në pikën zero. Opozita nuk e do reformën në drejtësi”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.

Në bazë të kalendarit të miratuar me votat e shumicës, propozimi pritet të shkojë në seancë më 15 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA