Në tryezën “Reforma e Shërbimeve Publike dhe ecuria e Procesit të Derregullimit”, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi bëri të ditur se do të përgjysmohet numri i dokumenteve që kërkohen nga ministria e tij.
Nga 108 dokumenta që lëshohen apo kërkohen në këtë instiutucion dhe institucionet në varësi të tij nga janari e në vazhdim do të kërkohen vetëm 40.
Kështu më konkretisht, për 22 shërbime, nga 108 dokumente të kërkuara deri dje, numri i tyre për Janarin e vitit 2018 shkoi në 40. Për Drejtorinë e Peshkimit nga 26 dokumenta, numri u ul në 5. Drejtoria Veterinare nga 28 dokumente e reduktoi numrin në 11 dhe për Drejtorinë e Sigurisë Ushqimore nga 35, numri arriti në 15. Për Ministrin Peleshi, suksesi më i madh, padyshim është arritja e reduktimit të dokumentave që kërkohen, për aplikim në Skemën Mbështetëse Financiare, nga 13 dokumente, numri i tyre u bë zero.
“Kampioni i ministrisë dhe qeverisë besoj është Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nga 13 dokumenta ka shkuar në zero. Pra në këtë agjenci përmes skemës së mbështetjes financiare, përmes mbështetjes me subvencione grante, në bujqesi dhe zhvillimin rural, ne kemi arritur një objektiv maksimal, dhe përtej kësaj nuk kemi ku të shkojmë më, kemi shkuar në zero dokumentacionin, kemi shkuar në vetëdeklarim. Këta fermerë që deri dje duhet të plotësonin një dosje shumë të madhe, që i kushtonte shumë kohë dhe para, disa qindra mijëra lekë të paktën tani zëvendësohet me vetëdeklarim. Çdo fermer do të duhet të paraqitet kur të shpallet data e aplikimit, në datën 28 shkurt me shumë shpresë, duhet të paraqitet vetëm me kartën e identitetit. Të vetëdeklarojë të dhënat që kërkon aplikimi dhe pastaj vetëm fituesi do duhet të plotësojë dokumentacinion, por jo 13 dokumenta , por vetëm një. Çertifikatën e pronësisë, ose titullin e marrjes së tokës në pronesi. AMTP. Pra vetëm kaq do të duhet të sjellë fermeri. Pra kostoja ka shkuar në minimum, vitin që vjen jam i bindur që do të kalojmë pastaj në aplikimin online nga celulari apo nga shtëpia”, tha Peleshi
Aplikimi elektronik apo aplikimi me një numër minimal dokumentash do të cojë drejt zeros subjektivitetin e zyrtarit, që duhet të ofrojë shërbimin, duke ulur mundësinë e sorollatjes të qëllimshme ose jo, dhe do të ulë mundësinë e korrupsionit.
Përqafimin e një kulture të re për skemat mbështetëse, atë të aplikimit elektronik, nën asistencën e punonjësve të Agropikave Drejtorive të Bujqësisë, synohet të ngrihen 36 pika në të gjithë vendin.
Gjatë kësaj tryeze nga ana e grupeve të interesit u shtruan tematika dhe problematika lidhur me sektorin bujqësor si: problemet me titujt e pronësisë, konsolidimin e tokës, çeljen e tregjeve të reja, mbështetjen e sektorëve të ndryshëm ndër ta, bletoria, dhe siguria ushqimore. Ministri Peleshi njoftoi gjithashtu dhe nisjen e një fushatë promovuese për Skemën Kombëtare të Mbështetjes financiare, për masat dhe përfitimet në grante, subvencione dhe nga fondet e garancisë për të gjithë aplikuesit fitues.
Top Channel