Një tjetër pengesë i shtohet kalvarit të negociatave mes Londrës dhe Brukselit. Kryeministrja britanike Theresa May tha se qytetarët europianë që mbërrijnë në Britani gjatë periudhës së tranzicionit “post Brexit”, nuk do të kenë të drejta të njëjta me ata që kanë mbërritur më herët.
Deklarata e kryeministres May vjen nga Pekini, ku kryetarja e qeverisë britanike është angazhuar në një turne diplomatik për të hapur rrugën për raportet me kolosin aziatik, pas daljes nga Bashkimi Europian.
Sipas Brukselit, në peridudhën e tranzicionit – që llogaritet nga 29 marsi 2019 deri më 31 dhjetor 2020, – duhet ruajtur “status quo”-ja që përfshin lirinë e lëvizjes dhe të njëjtat të drejta për qytetarët europianë që shkojnë në Britani gjatë kësaj kohe.
Por sipas Mayt, e cituar nga gazeta “The Guardian”, për ata që kanë ardhur më vonë mund të ketë më pak përfitime, si për shembull qasje të kufizuar për shërbimet sociale, por edhe detyrim për nxjerrje leje pune dhe regjistrim në mbërritje.
May nënvizoi se duhet të ketë patjetër ndryshim, mes atyre që kanë ardhur më herët dhe atyre që vijnë kur e dinë që Britania po largohet nga BE-ja.
Një nga pikat e panegociueshme të BE-së janë të drejtat e qytetarëve që nuk duhet të ndryshojnë, pavarësisht “Brexit”-it, e Brukseli priste pikërisht këtë nga Londra. Por duket se kryeministrja May ka ndryshuar njëanshmërisht qëndrimin e saj, duke i hapur rrugën përplasjeve të reja me BE-në.
Top Channel