Senati kanadez ka miratuar një ligj që ndryshon tekstin e versionit në gjuhën angleze të himnit kombëtar, duke e bërë atë neutral për sa i takon gjinisë. Ligji pret tani aprovimin mbretëror nga Guvernatori i Përgjithshëm për të marrë formë përfundimtare.
Lëvizja synon të ndryshojë frazën nga “Në komandën e të gjithë djemve…” në “Në komandën e të gjithëve ne…”, në himnin “O Canada”.
Përpjekjet për të ndryshuar tekstin e “O Canada” kanë ndezur një debat pasionant në Kanada. Një plan i ngjashëm ishte hedhur poshtë në vitin 2010 nga konservatorët, që atëherë kishin shumicën në Parlament.
Që nga viti 1980, kur “O Canada” u bë zyrtarisht himni i vendit, 12 ligje janë prezantuar në Parlament për të hequr referencën ndaj djemve, por të gjitha përpjekjet deri më tani kanë dështuar. Një grup grash, përfshirë edhe autoren Margaret Atwood dhe ish-kryeministren Kim Campbell, lançuan një fushatë të re në vitin 2013 për të ndryshuar tekstin, në emër të barazisë gjinore.
Kënga është performuar për të parën herë në vitin 1880, me disa versione të ndryshme të lirikës që lindën në vitet në vijim. Fillimisht e kompozuar me tekst në frëngjisht, “O Canada” u bë himni kombëtar i vendit në 1980-n.
Top Channel