Fino: Ke përdorur Federatën për politikë. Duka: Ke politikën nga pas, po kamuflohesh

01/02/2018 22:10

Në emisionin “Të Paekspozuar” në Top Channel, Armand Duka u shpreh se marrëdhëniet e FSHF kanë qenë shumë të mira me të gjithë faktorët në vend, duke përfshirë edhe politikën, por nuk e ka dhënë institucionin as për Edi Ramën dhe as për Sali Berishën.

“Jam përpjekur të kenë marrëdhënie shumë të mira me të gjithë faktorët në vend, edhe me politikën. Nuk e kam dhënë institucionin as për Edi Ramën dhe as për një tjetër institucion. Këtë gjë kam bërë edhe me Sali Berishën. Jam munduar që të kemi”, u shpreh Armand Duka.

Por për Bashkim Finon është e kundërta. Ai e akuzoi dukën se e ka përdorur FSHF për politikë.

“Zoti Duka e ka përdorur dhe e di mirë. Nuk ka respektuar nenin 1 që Federata duhet të jetë asnjanëse. Duka marrë pjesë në hapjen e partisë së vëllait të tij. Ka shkuar Ersekë dhe ka bërë fushatë. Kjo është e gabuar sepse ka shkelur statutin e FSHF. Nuk po them si qytetar i lirë, por të përdorë institucionin dhe të marrë pjesë në këtë aktivitete është përdorja e Federatës për politikë. Unë mendoj se mbas datës 7 nuk do të ndodhë në mënyrë absolute”, u shpreh Fino.

Duka reagoi duke iu drejtuar Bashkim Finos se e ka politizuar shumë fushatën dhe ngre akuza ndaj tij për ta zbehur këtë. “E ke politizuar shumë këtë fushatë dhe kërkon ta zbehësh këtë me një fotografi. Nuk kam qenë i angazhuar kurrë në politikë. Kam marrë pjesë në një aktivitet dhe këtë nuk e mohoj, por nuk mund ta kamuflosh të gjithë atë që ke krijuar me një fotografi”, tha Duka.

Top Channel