“Filmat vizatimorë të fëmijërisë që kanë edukuar breza” ishte tema e trajtuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”.
Të ftuar në studio ishin figura të njohura si shkrimtari Gaqo Bushaka, muzikanti Altin Goci, moderatori Arbër Çepani dhe psikologia Fatjona Hysi.
Shkrimatari Gaqo Bushaka në fjalën e tij u shpreh se është e rëndësishme që fëmijët të shohin filma të cilat nuk përmbajnë dhunë brenda, pasi të tilla fenomene sipas tij mund të ndikojnë në psikologjinë e tyre: “ Jam kundër filmave me dhunë sepse duke qënë se në Shqipëri shumë njerëz që vinë nga zona të thella mund të ndikohen. Fenomene si gjakmarrja mund të motivohen edhe nga këto filma. Për mua ky është një fenomen që duhet të shuhet.”
Në të njëjtin mendim ishte edhe psikologia Fatjona Hysi edhe moderatori Arbër Çepani.
Psikologia Hysi theksoi se fëmijët duhet të shohin ato filma vizatimorë të cilët janë të përshtatshëm për moshën e tyre, në të kundërt konsiderohet kohë e humbur pasi të vegjlit nuk mësojnë asgjë: “Mund të them që sot koncepti i filmave të animuar ka ndryshuar shumë. Filmat kanë më shumë mesazh brenda. Nëse prindërit i udhëzojnë që të shohin filmat e duhur, fëmijët nuk shpenzojnë shumë kohë në televizor. Duhet ndjekur ato filma që kanë një mesazh për jetën apo dashurinë midis njerëzve, pasi fëmijët marrin një mësim. Është e rëndësishme që fëmijët të shohin kukulla edhe në gjuhë të huaj sepse në këtë mënyrë i familjarizohet veshi me gjuhën edhe kuptojnë më shumë. Duhet që prindërit të kufizojnë kohën në mënyrë që fëmijët e tyre të mos shohin gjithë kohën filma vizatimorë, por të bëjnë edhe aktivitete të tjera. Duhet që çdo grupmoshë të shohë filmat që i përshtaten, në të kundërt është kohë e humbur.”
Edhe pse shpesh dëgjojmë të thuhet se të rritur nuk duhet të shohin filma vizatimorë, një gjë e tillë nuk vlen për muzikantin Altin Goci: “Micky Mouse ka qenë një nga personazhet e animuar të cilët i ndiqja me shumë kënaqësi. Ndërsa Tom and Jerry mbetet film legjendë dhe shumë i preferuar nga të gjitha brezat. Unë edhe sot në këtë moshë i ndjek filmat vizatimorë, për shkak të fëmijëve apo edhe për shkak të nostalgjisë.”
Ajo që mund të themi është se filmi “Çufo dhe bubi kaçurrel” i shkrimtarit Gaqo Bushaka mbetet i preferuar për fëmijët edhe sot.
Top Channel