Berlusconi jep këshilla për Milanin dhe Romën

01/02/2018 13:17

Ai synon rikthimin në politikë të forcës së tij “Forza Italia”, edhe pse vet atij nuk i lejohet të mbajë poste publike. Por, si një ish i botës së futbollit, jep këshilla për shumëkënd.

Për ish-“luftëtarin” e Milanit të tij, që tashmë drejton në krye të pankinës kuqezinjtë, Rino Gattuso, shprehet se duhet të ndryshojë modulin e lojës, nga 4-3-3 në 4-3-1-2. Por një këshillë e ka edhe për padronin e Romës, Pallotta, që sipas manjatit të medias duhet të qëndrojë më pranë verdhekuqve.

Të gjitha këto, Silvio Berlusconi, ish-president i Milanit, i ka thënë gjatë një deklarate për “Radio Radioe”.

“Po e pashë sfidën e djeshme për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, mes Milanit të Gattusos dhe Lacios. Nuk kam asnjë keqardhje, përveçse nuk bie dakord me modulin e lojës, pasi vjet dhe sivjet po vijohet të luhet me vetëm një sulmues. Skema më e mirë për të triumfuar është me dy sulmues dhe një fantazist pas shpinës së tyre”, shpjegon për të disatën herë ish-presidenti kuqezi.

“Bonaventura është shumë i zoti, Suso mund të jetë shumë mirë një sulmues i dytë. Pastaj ka shumë mundësi zgjedhjeje për një sulmues me kapacitet të lartë. Por, me vetëm një sulmues, Suso dhe Bonaventura nuk mund të shkëlqejnë nga krahët, e nëse arrijnë të driblojnë një, dy apo 3 kundërshtarë, thjesht mund të hedhin një krosim, pa mundur të godasin portën kundërshtare. Sulmuesi i vetëm, gjatë sezonit të kaluar ishte thuajse gjatë të gjithë kohës i kontrolluar mirë nga mbrojtjes kundërshtare, duke mos i shfrytëzuar dot krosimet. Kemi parë edhe ndeshje pa asnjë gjuajtje nga brenda zonës së rreptësisë”, thotë Berlusconi.

Kur i kërkojnë një këshillë edhe për padronin e Romës, James Pallotta, Berlusconi tregon modelin.

“Unë doja të isha i pranishëm përpara çdo ndeshjeje për t’i nxitur lojtarët, e madje iu thoja edhe sesa gola doja unë që ata të shënonin. Një skuadër futbolli duhet të jetë si një familje. Presidenti duhet të jetë babai dhe vëllai i madh, e të gjithë të tjerët duhet të dëgjojnë stimujt që jep ai. Kam qenë president i skuadrës më të titulluar në nivel botëror, ndaj, Pallotta ndiq shembullim tim”, mbyll deklaratën ish-kryeministri i Italisë, Berlusconi.

Top Channel