Arbitrazhi Sportiv (CAS) përmbys dënimin për doping të 28 atletëve rusë

01/02/2018 11:29

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pranoi apelin e 28 prej 39 sportistëve rusë, të përjashtuar përjetë nga aktivitetet sportive për shkak të skandalit të dopingut të shfaqur në Lojërat Dimërore të Sochit, në vitin 2014.

Nëpërmjet një komunikatë për shtyp, kjo gjykatë me seli në Lozanë bëri të ditur se për këta 28 sportistë nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë përfshirjen e tyre në këtë skandal të madh, duke e kthyer vendimin për pezullimin e përjetshëm.

Për sa u përket 11 sportistëve të tjerë, apeli i tyre u pranua pjesërisht, pasi provat e paraqitura provojnë se ka pasur thyerje të rregullave antidoping. Pas sqarimit të këtij vendimi, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv bëri të ditur se 28 sportistët, të cilëve iu kthye vendimi i pezullimit të përjetshëm, gjithsesi nuk do të lejohen të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut, që do të nisin javën e ardhshme.

Skandali i dopingut për Lojërat Olimpike të Sochit shpërtheu pas rrëfimit të shefit të laboratorit antidoping të Moskës, Rodchenkov, i cili foli për shkëmbim të kampionëve të urinës së sportistëve rusë që kishin përdorur doping, ndërkohë që Agjencia Botërore Antidoping shkoi edhe më tej, teksa bëri të ditur së në këtë skemë dopingu ishin përfshirë edhe autoritetet shtetërore ruse, me këta të fundit që i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Top Channel