Presidenti amerikan Donald Trump do të publikojë një memo kontroverse të republikanëve, ku pretendohet se brenda FBI-së ekzistojnë paragjykime kundër Trumpit.
Këtë e bëri të ditur shefi i kabinetit, John Kelly, gjatë një interviste për Fox News. ‘Do të publikohet shumë shpejt dhe e gjithë bota mund ta shohë’, ishin fjalët e Kellyt.
Komisioni i Inteligjencës në dhomën e përfaqësuesve votoi këtë javë për publikimin e memos së klasifikuar, pavarësisht kundërshtive të Byrosë Federale të hetimeve. Demokratët e shohin atë si një përpjekje për të diskredituar hetimet e FBI-së lidhur me bashkëpunimin e mundshëm të ekipit të Trumpit me Rusinë gjatë fushatës presidenciale.
Në një deklaratë të rrallë publike, FBI u shpreh thellësisht e shqetësuar mbi saktësinë e dokumentit, duke pohuar se kishte pasur shumë pak kohë në dispozicion për ta shqyrtuar atë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kohë deri në fundjavë për të vendosur nëse do të deklasifikojë informacionin për ta vënë në dispozicion të publikut.
Republikanët në Kongres, të cilët e kanë shqyrtuar dokumentin prej 4 faqesh, pretendojnë se ai dëshmon se Departamenti i Drejtësisë kishte shfrytëzuar një program survejimi për të shënjestruar në mënyrë të padrejtë një pjesëtarë të fushatës së Trumpit.
Top Channel