Në fjalimin drejtuar Kombit, Presidenti amerikan Donald Trump e bëri të qartë se do të vazhdojë përpara me ashpërsimin e rregullave për emigracionin.
Përmes zëdhënëses, Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët katër shtyllat kryesore të propozimit të Trump.
“Mbrojtja e kufirit, përfshirë ndërtimin e murit me Meksikën, dhënia e statusit të rregullt për emigrantë të paligjshëm të sjellë në moshë të mitur, shfuqizimi i ligjeve që lejojnë emigracion të zgjeruar familjar, si dhe eliminimi i lotarisë Green Card për të kaluar në një sistem të bazuar tek meritat e aplikantëve” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Nga dhënia e statusit të rregullt për emigrantët që kanë hyrë në SHBA në moshë të mitur pritet të përfitojnë rreth 2 milionë vetë.
Por, nisma e shefit të Shtëpisë së Bardhë ka një pengesë madhore; Kongresin. Ishin pikërisht mosmarrëveshjet për politikat e emigracionit që një javë më parë shkaktuan ngërçin dhe bllokimin e Qeverisë për tri ditë.
Diskutimet mes republikanëve dhe demokratëve në Kongres vijojnë, ndërsa nga Shtëpia e Bardhë nisma mbrohet me fanatizëm.
“Këto ndryshime jo vetëm që do të përmirësonin sigurinë, por edhe do të na ndihmojnë të vlerësojmë më mirë refugjatët e ligjshëm, që i shpëtojnë persekutimit”, deklaroi sekretarja për Sigurinë Kombëtare Kirsten Nielsen.
Top Channel