MLS zyrtarizon themelimin e skuadrës së Beckhamit

30/01/2018 12:37

Major League Soccer do të ketë shumë shpejt një skuadër të re në përbërjen e saj. Bëhet fjalë për Miamin.

David Beckham, ish ylli i Manchester United, Realit të Madridit, LA Galaxy e përfaqësueses angleze është pronari i ri i skuadrës nga Florida, prezantimi i së cilës u bë këtë të hënë.

David Beckam ishte njeriu më i përshtatshëm për të ndërmarrë këtë hap. Britaniku kishte një opsion në kontratën e tij, kur ende luante për LA Galaxy, për blerjen e një klubi për vlerën e 25 milionë dollarëve.

Kështu që Beckham, së bashku me vëllezërit Mas dhe themeluesin e “Brightstar”, Marcelo Claure, krijuan skuadrën e re të futbollit të Miamit.

“Ishte diçka që unë e ëndërroja prej vitesh. Asgjë në jetën dhe karrierën time nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur. Kur isha 12 vjeç, një trajner më thoshte ‘David, ti nuk do të luash asnjëherë futboll profesionist, nuk do të luash asnjëherë për vendin tënd pasi je shumë i dobët, shumë i vogël’. Por, pas 25 vitesh mund të them se kam pasur një karrierë të mirë. Sot ju më bëtë ëndrrën time realitet”, tha Beckham.

Projekti i Beckham është në fazën fillestare të tij, pasi duhet të gjendet emri i skuadrës, logoja, ngjyrat e skuadrës dhe ata që janë më të rëndësishmit, futbollistët. Për më tepër, ende nuk ka një datë se kur skuadra e re e Beckhamit do të bëjë debutimin në MLS. Flitet se kjo mund të ndodhë në vitin 2020.

Florida e ka një skuadër futbolli, Miami FC, që në vitin 2017 luajti në divizionin e dytë të kampionatit amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA