Fiks Fare/ Reforma e ujit, qytetarët e Maliqit e kanë paguar, por sërish debitorë

30/01/2018 20:37

Fiks Fare denoncoi sërish abuzimet në Drejtorinë e Ujësjellësit në Maliq, ku mijëra qytetarë, të cilët kanë paguar faturat ndër vite, dalin debitorë. Pak muaj më parë, qeveria nisi reformën e ujit, ku krahas vendosjes së matësve në puset e ndërtuara nga vetë banorët, synohej edhe mbledhja e debive të vjetra, apo ndërprerja e lidhjeve të paligjshme.

Aksioni nis më 1 shkurt, ku janë paralajmëruar çdo qytetar. Ndërkohë, banorët e Maliqit, siç e ka denoncuar edhe më parë emisioni Fiks Fare, kanë pasur probleme me faturistët e këtij qyteti, dhe për pasojë, rrezikojnë të mbesin pa ujë pas 1 shkurtit.

Problemet me faturisten
Më 4 prill 2017, Fiks Fare denoncoi abuzimet e një punonjëse të Ujësjellësit në Maliq, që gjatë kohës që ka punuar si faturiste ka përvetësuar rreth 600 mijë lekë të reja. Ajo ka marrë pagesat mujore të rreth 600 abonentëve të Maliqit, të bëra gjatë viteve 2014-2016. Por, pavarësisht se kjo ishte vërtetuar, punonjësja vazhdonte të ishte e punësuar pranë kësaj zyre. Madje, që nga shatori i vitit 2016, ajo mbante pozicionin e shpërndarjes së faturave për disa fshatra të zonës. Fiks Fare shkoi disa herë në Ujësjellësin e Maliqit vitin e kaluar, ku punonjësit pranuan që faturistja, edhe pse kishte përvetësuar lekë, vazhdonte punë. Pas denoncimit të abuzimeve nga Fiksi, drejtoria bëri kallëzim penal për punonjësen.

Problemi vazhdon…
Javët e fundit, në redaksinë e Fiks Fare mbërritën sërish ankesa nga qyteti i Maliqit. Sipas ankesave, disa faturistë u kanë shkuar derë më derë banorëve, u kanë marrë lekët, kanë firmosur librezat, ndërkohë që këta qytetarë figurojnë debitorë pranë kësaj drejtorie. “Probleme kemi me ujin, megjithëse librezat i kemi të nënshkruara. Librezat e mëparshme të viteve 2008, 2009, 2010 nuk i kemi ruajtur” thotë një banor. Një tjetër shton se librezat i ka të firmosura që nga vitit 2010 deri në 2017, ndërkohë del sërish debitor. Sipas tij, gabimin e kanë bërë faturistët, pasi nuk kanë arkëtuar paranë. “Unë jam invalid. Duhet të zgjidhet patjetër ky problem. Unë kam 100 mijë lekë për të paguar. Kam dalë debitor që nga viti 2008. Ku ti gjej lekët, jam invalid” thotë një mesoburrë. Një tjetër shton se edhe ai është invalid. “Librezat, siç i shikoni, janë të firmosura; 2010, 2009. Kam qenë pagues i rregullt, ndërkohë jam debitor me 48 mijë lekë. Këta po më marrin shpirtin. Këta më thanë duhen paguar. Atëherë le të vendosin, më mirë të më çojnë në burg. Unë i vdekur që i vdekur jam. Im atë ka 1 vit që ka vdekur. Ne kërkojmë drejtësi, ose të kapen autorët që i kanë vjedhur paratë. Le të shkojnë ata në burg” thotë ai.

Abuzimi nga faturistët
Fiks Fare, bashkë me disa banorë, shkoi në Drejtorinë e Ujësjellësit në Maliq. Në hollin e godinës, ishte një listë e gjatë me të gjithë debitorët, të cilët, deri në muajin janar 2018, numëroheshin 829 “problematikë”. “Unë dal me 2000 lekë të vjetra. Si ka mundësi. Në 2010 më kanë nxjerrë me 4000 lekë, në 2013 kam 16 mijë lekë pa paguar. Edhe 2 muaj në 2014. Ata pa paguar muajin e kaluar, s’të merrnin lekët e tjera. Unë librezat i kam nga 2015 e këtej” thotë ai. Pas ankesave, Fiksi pyet edhe specialisten Afërdita Sulejmani, e cila është vendosur për të ballafaquar këto probleme. “Në fakt njerëzit kanë të drejtë, ka pasur shkelje shumë të rënda, janë bërë publike. Edhe personi që kishte bërë abuzime, bëri dëmshpërblimin dhe u dërgua në organet kompetente. Është paguar paraja e vitit 2012, në 2017. Urdhri i qeverisë doli tani dhe ishim të detyruara të nxirrnim listat. Ata duhen të paraqiten, nëse është debitor të bëjnë derdhjen. Kanë ardhur 300 ankesa me dokumente, mbi 1000 mijë që kanë kontrolluar librat. Është periudhë shumë e gjatë” thotë ajo, ndërsa shton se mund të kenë abuzuar faturistët që në vitin 2008.

“Ne i besojmë regjistrave, jo librezave!”
Pas pretendimeve të banorëve, gazetarët tentojnë të komunikojnë me drejtorinë e Ujësjellësit. Fillimisht, drejtori Petrit Kupe, i kërkon gazetarëve që të bëjnë kërkesë. Por, duke qenë se në godinën e Ujësjellësit ishin edhe banorët, drejtori na fton në zyrë. “Ka shumë ankesa. Na është krijuar para 6-7 muajsh. Një pjesë të tyre kanë paraqitur libreza. Kemi një punonjëse për ankesat. Për gjithsecilin do ju japin përgjigjet” thotë drejtori. Sipas tij, nëse banorët nuk kanë libreza, atëherë nuk i heq dot nga sistemi. “Ne po shqyrtojmë kush kanë qenë punonjësit, kush ka gabuar. Po i shqyrtojmë rast pas rasti. Jemi në proces të gjykimit të ankesave. Kemi shqyrtuar gati 90 përqind të ankesave që janë bërë. Kemi ankesa çdo ditë. Ende nuk kemi një vlerë totale të debisë, ka dhe në vlera të konsiderueshme. Sot në kuadrin e aksionit në ujit, po shqyrtohen këto ankesa” thotë ai. Ndërkohë, banorët i tregojnë drejtorit problemet. Kupe thotë se pas 1 shkurtit, kush ka bërë lidhje të paligjshme do të burgoset, kush ka debi do e paguajë më këste. Në të kundërt, do ndërpritet uji. I pyetur se, nëse banorët nuk kanë ruajtur librezat e mëparshme dhe dalin debitor, thotë se “i besojmë regjistrave”. Megjithatë, në fund pranon se ka pasur abuzime të mëdha nga ish paraardhësit e tij, abuzime të cilat do të dërgohen në prokurori. Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk fshihet debia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA