Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister kërkon nga institucionet gjyqësore që të kryejnë një hetim sa më të shpejtë e profesional të vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

“Ekzekutorët e kreut të serbëve të Kosovës duhet të dalin përpara drejtësisë”, është mesazhi i McAllister, i cili kujton se një rast i tillë bart në vetvete rrezikun e destabilizimit.

Misioni Europian i Sundimit të Ligjit (EULEX) duhet të mbështesë autoritetet brenda mandatit të tij.

“Nuk ka alternativë për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne nuk mund të lejojmë që një krim i tillë të kërcënojë situatën në rajon”, deklaroi europarlamentari.

Kanë kaluar thuajse dy javë nga ekzekutimi i kryetarit të Nismës Qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi” në veri të Mitrovicës, por deri tani policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë të dyshuar për vrasjen, ndonëse këmbëngul se hetimet po zhvillohen me intensitet.

Ivanoviç u qëllua për vdekje përpara zyrës së tij më 16 janar, një episod ky, zbardhjen e të cilit e kërkojnë me ngulm si institucionet e Kosovës, ashtu edhe ato serbe.

Prishtina nuk e ka pranuar kërkesën e Beogradit për t’u bërë pjesë e hetimit, megjithatë nuk refuzon shkëmbimin e informacioneve. Vrasja e Ivanoviçit çoi në Kosovë presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, e bëri që dialogu Prishtinë-Beograd të ndërpritej, duke shtyrë delegacionin serb të kthehej menjëherë mbrapsht.

Top Channel