Telenovela “Neymar” është në sezonin e dytë të saj. Këtë radhë, braziliani është bërë protagonist i zërave që flasin për transferimin e tij te Reali i Madridit në muajt e verës.
Ai që vendosi të ndërhyjë në këtë histori ishte vet presidenti i klubit parizien, Nasser Al Khelaifi, i cili e mohoi largimin e 25-vjeçarit, për të cilin klubi i tij pagoi 222 milionë euro, duke shënuar blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Në Francë nuk ekzistojnë klauzolat e zgjidhjes së kontratës, siç ndodh në Spanjë, e për këtë arsye operacioni i kalimit të Neymar drejt Realit bëhet edhe më i vështirë, pasi fillimisht duhet gjetur akordi me drejtuesit e Paris SG-së, me këta të fundit që duket se nuk kanë ndërmend të nisin bisedimet për këtë çështje.
Zërat për largimin e mundshëm të Neymar nga PSG u krijuan pas debateve të shumta me Cavanin për ekzekutimin e penalltive, vështirësive në raportet me trajnerin Emery dhe mospërshtatjen në kryeqytetin francez, me Al Khelaifin që i përgënjeshtroi në mënyrë kategorike këto.
“Neymar nuk do të largohet nga Paris Saint Germain në fund të sezonit. Jam 2.000 % i sigurtë për këtë, – u shpreh Al Khelafi. – Ai dhe familja e tij ndihen shumë mirë këtu dhe lojtari dëshiron që të qëndrojë në Paris”.
Top Channel