Edhe pse nuk nxitohet të vendosë për të ardhmen e tij, Gianluigi Buffon ka rrëfyer të paktën dy ndeshje, të cilat do të donte t’i riluante nga e para.
I pyetur se përse ndien keqardhje për këto dy sfida të veçuara prej tij, si shprehet për “Che Tempo Che Fa”:
“Do të doja të riluaja sfidën Juventus-Real Madrid, finalen e Championsit të vitit të kaluar, si dhe finalen e Europianit 2012, Itali-Spanjë. Këto janë dy ndeshjet e vetme, në të cilat kemi humbur pa demostruar në fushë cilësitë e vërteta që kemi pasur, qoftë te Juventusi, ashtu edhe tek Italia”, tha Buffon.
Juventusi u mposht 4-1 në finalen e Championsit, më 3 qershor të vitit 2017. Ndërsa rezultati i finales së Euro 2012 në Kiev ishte edhe më i rëndë, me Spanjën që triumfoi 4-0 ndaj italianëve.
Portieri legjendë i “Zonjës së vjetër” dhe kombëtares “axurre” theksoi gjithashtu se ende nuk ka vendosur, nëse ky aktuali është sezoni i tij i fundit si futbollist.
“E shoh veten të lidhur me futbollin, sepse në fund të ditës ai ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Nuk pretendoj ta di që tani, nëse do të jem trajner apo drejtor, sepse do të më nevojiten 5-6 muaj pushim kur të var këpucët në gozhdë, për të qartësuar çdo mendim timin”, tha Gigi Buffon.
Top Channel