Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias i thirrur në interpelance nga shefi i Çështjeve të Jashtme të Demokracisë së Re, Jorgos Kumutsakos, në lidhje me përmbajtjen e bisedimeve të fundit me homologun shqiptar Bushati, ka deklaruar në parlament se në këto bisedime nuk është përfshirë aspak çështja çame.

Kotzias ka thënë se bisedimet janë fokusuar në çështjet bilaterale, në të cilat ka pasur mosmarrëveshje apo çështje të pazgjidhura në 70 vitet e fundit dhe ka vlerësuar se ka pasur progres substancial drejt gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për to, për të mirën e përbashkët të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre dhe në përputhje me rregullat dhe vlerat evropiane.

Ndërkohë, ai ka theksuar se ka një përmirësim te dukshëm të klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare, e cila është një rezultat i dialogut të hapur mes dy palëve dhe qe tashme vërtetohet nga aktet konkrete.

Në këtë kontekst, ai i referohet ndryshimit të qëndrimit të qeverisë shqiptare përsa i përket varrezave ushtarake për grekët e rënë në Shqipëri dhe veçanërisht miratimit te dy ligjeve zbatuese në lidhje me marrëveshjen e vitit 2009.

Kotzias ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e konservatoreve greke për një diplomaci të fshehtë midis Athinës dhe Tiranës.

Ndërkohë pas deklaratave të kreut të diplomacisë greke, ministria e Jashtme në një deklaratë për shtyp ka përgënjeshtruar në mënyrë kategorike deklaratat e zyrtarëve shqiptarë që çështja çame është përfshirë në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Siç thuhet në këtë deklaratë është tjetër gjë gatishmëria e palës shqiptare për ta vënë atë në tryezën e bisedimeve dhe tjetër gjë që Athina ta pranojë atë për diskutim.

“Ne i bëjmë thirrje palës shqiptare që të mos ngrejë çështje që bien ndesh me dialogun e vazhdueshëm, të sinqertë dhe konstruktiv. Një dialog që ndihmon në përpjekjet e të dyja palëve për të përmirësuar dukshëm klimën në marrëdhëniet greko-shqiptare që ka dhënë tashmë rezultate, në mënyrë që të ketë një përfitim reciprok për të dy vendet dhe qytetarët e tyre”, theksohet në deklaratën e ministrisë së Jashtme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA