Kandidatet për KLGJ-KLP, mungon konsensusi, lista e dytë sërish me short

29/01/2018 19:53

Pas rrëzimit të listës së parë nga Parlamenti nënkomisioni i posaçëm dështoi të gjente konsensus edhe për së dyti.

Shorti përzgjodhi një tjetër listë me 5 kandidatë jo gjyqtarë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 5 kandidatë jo prokurorë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga tre fushat respektive, avokatia, trupa e pedagogëve dhe shoqëria civile.

“Një proces i korruptuar politikisht, i filtruar politikisht përciell këto kandidatura”, tha Bylykbashi.

“Është një lojë e opozitës për ta delegjitimuar procesin, për ta çuar në pikën zero dhe për të bllokuar zbatimin e reformës në drejtësi”, u shpreh Ulsi Manja.

Dy kandidatë nuk janë më në garë. Saimir Visha, u tërhoq duke refuzuar të jetë produkt shorti dhe jo konsensusi në institucionet e reja të drejtësisë.

Altin Hazizaj u skualifikua, pasi Kuvendi shtoi në dosjen e tij edhe dokumentin e prokurorisë që mungonte herën e parë.

Hazizaj rezulton se preket nga ligji i dekriminalizimit, për mosdeklarim të një dënimi.
Ndër debatet më të forta ishte për Kozma Janon për të cilin opozita deklaroi se ishte bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, por ai vazhdon të jetë në proces, pasi Autoriteti i Dosjeve nuk ka sjellë ende verifikim tjetër.

“Autoriteti i Hapjes së Dosjeve thotë se na e ka sjellë parlamenti me të dhëna, me gjeneralitete të gabuara”, u shpreh Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit Ad/Hoc.

“Por nëse do të na vihet në dispozicion një fakt tjetër juridik do të jetë objekt diskutimi”, tha Manja.

Nëse edhe kjo listë nuk merr 94 vota në parlament, do të shkohet me një listë të tretë, e cila do të quhet e miratuar edhe në mungesë të konsensusit. Por plotësimi i vendeve në Këshillin e lartë gjyqësor dhe këshillin e lartë të prokurorisë me anëtarë jashtë sistemit, nuk do të bëjë të mundur ngritjen e institucioneve deri në përfundim të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA