Hillary Clinton u bë pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” në Nju Jork, por jo si të tjerët.
Ish-Sekretarja e Shtetit ishte një nga personazhet e videos gazmore të mikpritësit të shfaqjes, James Corden, ku Clinton së bashku me Cher, Snoop Dogg, Cardi B, John Legend dhe DJ Khaled lexonin paragrafe të shkëputura nga libri polemizues i Michael Wolff, “Zjarr dhe tërbim – Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit”, i cili hedh një vështrim ndryshe mbi presidencën e manjatit republikan.
Në video, Corden bën sikur zhvillon audicione për leximin e librit dhe personazhet e tij, gjoja shpresojnë të rrëmbejnë çmimin e vitit të ardhshëm për albumin më të mirë të folur me fjalë.
Clinton lexon aty një paragraf ku përmendej dashuria e Trumpit për ushqimin e shpejtë.
“Ai ka pasur për një kohë të gjatë frikën se mos e helmojnë. Kjo është një nga arsyet përse i pëlqen të hajë te McDonald’s. Askush nuk e di kur do të shkojë atje dhe ushqimi i parapërgatitur është i sigurtë”, thotë Clinton.
Pjesëtarë të ekipit të Trumpit ngritën zërin duke shprehur pakënaqësinë e tyre me skeçin, ndaj të cilit edhe vet presidenti reagoi me të tallur, ndërsa e shigjetoi edhe njëherë librin e Wolffit si “Fake News”.
Top Channel