Çështja e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë pritet të sjellë në orët e ardhshme ndryshime në skenën politike të Greqisë.
Pas takimit të djeshëm të kryeministrit me të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare, kreu i partisë “Grekët e Pavarur” të koalicionit qeveritar, Panos Kammenos, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, duket i ka thënë kryeministrit Tsipras se nëse do të vijë në Parlament një emër i përbërë që përmban termin “Maqedonia”, ai nuk do ta votojë propozimin.
Ai do të japë dorëheqjen bashkë me anëtarët e tjerë të partisë së tij nga postet qeveritare, duke krijuar kështu të çarën e madhe në koalicionin qeveritar të vendit. Por, në të njëjtën kohë, ai duket se ka thënë se nëse opozita do të përfitojë nga kjo dhe do të kërkojë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ai do ta mbështesë qeverinë.
Ndërkohë, duket se propozimin për emrin e ri të fqinjit verior të Greqisë mund ta mbështesin në Parlament edhe deputetë nga partitë opozitare, midis tyre edhe ata të koalicionit demokratik, shumica e të cilit përbëhet nga socialistët e PASOK-ut, te të cilët thuhet se Tsipras mund të gjejë partnerët e ardhshëm të qeverisë.
Zhvillimet politike ndodhin vetëm disa orë para mbërritjes së negociatorit, Mattheë Nemetz, në Athinë ditën e martë, para se të vizitojë edhe Shkupin.
Gjithashtu të dielën e parë të shkurtit pritet përsëri, në Athinë kësaj here, një miting madhështor si ai i Selanikut, në të cilin grekët do të kundërshtojnë që termi “Maqedoni” të jetë pjesë përbërëse e emrit të ri.
Athina dhe Shkupi nxitojnë të zgjidhin ndasitë e tyre 27-vjeçare për emrin, nën presionin e qytetarëve të tyre, por njëkohësisht edhe të BE-së dhe SHBA-ve, që duan që në samitin e BE-së në maj dhe në atë të NATO-s në qershor të jepet “drita jeshile” për procesin integrues të Shkupit.
Top Channel