Krerët shtetërorë dhe politikë të Maqedonisë diskutuan propozimet e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç, për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, por nuk dhanë detaje nga takimi që zgjati deri në mesnatën e së shtunës.

Kryeministri Zoran Zaev u shpreh optimist për arritjen e një kompromisi kombëtar, por gjithashtu bëri thirrje për kujdes apo përmbajtje nga komentet, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i bisedimeve. Edhe Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, nuk dha detaje nga bisedimet e kreut shtetëror dhe politik, por tha se përvoja politike e bën që të jetë realist.

Lideri i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, pohoi se partia e tij mbështet integrimin, por gjithashtu theksoi gatishmërinë për, siç u shpreh, mbrojtjen e interesave kombëtare, ndërsa përgjegjësinë për arritjen e marrëveshjes ia la qeverisë.

Nga partitë politike shqiptare, në takim mori pjesë vetëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e vlerësoi atë si më të frytshmin të mbajtur deri më tani për çështjen e emrit.

Bisedimet pasuan takimin e kryeministrave Zorav Zaev dhe Aleksis Tsipras në Davos, ku u theksua përkushtimi për zgjidhjen e problemit 25-vjeçar. Por, kryeministri grek duket se dështoi në sigurimin e mbështetjes së liderit kryesor të opozitës lidhur me një konsensus të mundshëm. Ka sugjerime se në tryezë janë emra të tillë si Maqedonia Veriore apo Maqedoni-Shkupi, por pas takimit me Tsiprasin, lideri i Partisë Demokracia e Re, Kiriakos Mitsotakis tha në një fjalim televiziv se nuk do t’i ndanin grekët për të bashkuar Shkupin. Sipas tij, zgjidhja e kontestit të emrit nuk është vetëm një çështje e politikës së jashtme, por një problem shumë serioz që lidhet me historinë dhe identitetin e grekëve.

Mitsotakis, partia e të cilit gëzon edhe mbështetjen më të madhe në sondazhe, fajësoi Tsiprasin për faktin se nuk i parashtroi Shkupit kërkesa për ndryshime kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA