Një grup i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike është shkatërruar në operacionin e ndërmarrë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë italiane.
Dy persona përfunduan në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në operacionin e kodur “Overseas”.
Të arrestuarit janë shtetasit Autor Deda, 38 vjeç dhe Dodë Prela, 53 vjeç, që të dy banues në Lezhë, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit R.M., 41 vjeç, banues në Kurbin dhe G.K., 47 vjeç, banues në Lezhë.
Policia thotë se ndaj këtyre personave ka nisur një procedim penal nga drejtoria e hetimit të narkotikëve dhe trafiqet që në vitin 2013.
Sipas policisë, nga hetimi disavjeçar, i cili është shtrirë në Shqipëri dhe Itali, është bërë e mundur që në periudha të ndryshme kohore i janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit marijuanë, të trafikuara nga Shqipëria në drejtim të Italisë në rrugë detare.
Nga hetimet e zhvilluara dyshohet se në marrëveshje mes tyre shtetasit Dodë Prela dhe Autor Deda janë financuesit dhe organizatorët kryesorë të këtij trafiku.
Dyshohet gjithashtu se shtetasi R.M. ishte në rolin e personit që siguronte tregun e shitjes së lëndës narkotike në Itali, ndërsa shtetasi G.K. ka qenë në rolin e magazinuesit të lëndës narkotike.
Në rolin e transportuesit të arrestuar më parë janë shtetasit L.M., E.Z. dhe J.LL, të tre nga Qarku Lezhë.
Top Channel