E nisën shumë keq, me dy gola të pësuar në vetëm 12 minuta lojë, njëri nga të cilët pas një penalltie të humbur, por gjigantët e Bundesligës treguan “dhëmbët” ndaj Hoffenheimit, edhe pse kanë një distancë të jashtëzakonshme në tabelën e renditjes nga ndjekësi më i afërt.

Bayern Munchen shënoi dy herë në pjesën e parë, për të barazuar fillimisht rezultatin me Lewandowskin dhe Boatengun, e për ta thelluar atë më pas me tri gola të tjerë, me autorë Coman, Vidal dhe i ardhuri më i fundit Wagner, i cili sapo ishte futur si zëvendësues. Për t’u theksuar, asistet e Arjen Robben në golin e dytë e të katërt, ndërsa sulmuesi polak ndihmoi në shënimin e golit të tretë.

Me këtë fitore, bavarezët ngjiten në kuotën e 50 pikëve, 16 më shumë sesa Schalke e vendit të dytë, që fitoi takimin e saj në transfertë me Stuttgartin, me dy gola të shënuar herët në pjesën e parë.

Dortmundi i shpëtoi vetëm në kohën shtesë disfatës në “Signal Iduna Park” me Freiburgun, edhe pse kaloi i pari në avantazh me Kagawan. Freiburgu e përmbysi rezultatin në minutën e 68, ndërsa vendasit iu falën Toljanit në minutën e 93-të të ndeshjes.

Në takimet e tjera, Hamburgu i Mavrajt ndali në barazim 1-1 Leipzigun, ndërsa Këlni i vendit të fundit shënoi të njëjtin barazim me Augsburgun.

Top Channel