Viti 2018 do të jetë viti i bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Austrisë, ku nuk do të mungojnë aktivitete të shumta, për të treguar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

“Ky vit do të na bëjë bashkë në një kalendar të gjerë aktivitetesh e veprimtarish në fusha të ndryshme të artit e kulturës si në Austri, ashtu edhe në Shqipëri. Do të kemi ekspozita pikture e fotografie, shfaqje filmash e koncerte, promovime librash e klube leximi, tryeza diskutimesh e konferenca”, tha Mirela Kumbaro, Ministre Kulture.

“Nëse do të krijohej edhe një herë Bashkimi Europian do ta fillonte me kulturën, sepse kultura nuk është luks, por është baza për një bashkëjetesë të frytshme. Nuk është e rastësishme që për këtë vit është zgjedhur Shqipëria, sepse midis 2 vendeve tona ekziston tashmë një lidhje e ngushtë politike dhe një histori e admirueshme bashkëpunimi në shumë fusha”, tha Johann Sattler, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri.

Një konferencë shkencore dhe ekspozita në hollin e Muzeut Kombëtar me foto historike të viteve 1916-1918 nga Monarkia Austro- Hungareze dhe Shqipëria e asaj kohe, ngritën siparin e aktiviteteve të shumta që do të pasojnë vitin.

“Ne në muajin Nëntor kemi organizuar koncertin e parë, i cili hapi edhe festimet e vitit kulturor ndërmjet Shqipërisë e Austrisë: “Tirana saluton Vjenën” dhe do bëhet përsëri në Pallatin e Kongreseve më datë 15 Shkurt, ku Vjena saluton Tiranën, ku përveç artistëve shqiptarë do të kemi artistë austriakë”, tha Inva Mula.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA