Saga e Pacollit: Unë, si Konti i Monte Kristos

26/01/2018 14:23

Nga Ana Oxa te Boris Yeltsin, Behgjet Pacolli e ka rrëfyer të gjithë sagën e vet në një intervistë dhënë “Corriere della Sera”-s, ku thotë se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe brezi i tij, që u gjend në timonin e pavarësisë, ka detyrimin të bëjë ç’është e mundur për njohjen e saj.

“Dikush më ka krahasuar me Kontin e Monte Kristos”, rrëfen zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Kosovës.

“Dikush shkruan se kam pritur momentin e duhur për t’u hakmarrë ndaj padrejtësive të pësuara, duke i detyruar kundërshtarët të nënshkruanin në shtëpinë time një marrëveshje, e cila më jepte praktikisht gjithçka në duar. Por e vërteta është se unë nuk rreshta kurrë së bëri politikë”.

“Gjërat janë shumë të thjeshta. Sot jam një person kyç, sepse pa deputët e mi, Kosova do të ishte pa qeveri”, shpjegon ai.

“Pas disa ditësh do të kremtojmë 10 vite pavarësi, – vazhdon Pacolli. – Rruga drejt Europës është e drejtë, megjithatë disa njerëz nuk pajtohen, e unë u them se duhet të përshtaten, në të kundërt, të largohen”.

Gazetari e pyet nëse i referohet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj në dritën e procesit të krimeve të luftës.

Pacolli përgjigjet: Unë nuk i di këto gjëra. Po flas për personat që pengojnë rrugën tonë, qofshin ata serbë apo shqiptarë.

Duke bërë një portret të shkurtër, gazeta prestigjioze italiane thekson se, milioneri i njohur edhe si “Berlusconi shqiptar” është njeriu që restauroi Kremlinin dhe e ndërtoi nga hiçi kryeqytetin e Kazakistanit.

“Fati nuk e braktisi kurrë, – shkruan Corriere, – e pas 3 vitesh, sipas marrëveshjeve të arritura në Prishtinë, do të kandidojë për President, siç ka dashur gjithmonë”.

Top Channel