Shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit në Spanjë ka vendosur Barcelonën përballë një skuadre të vështirë, që e komplikon rrugën e katalanasve drejt një objektiv sezonal, edhe pse konsiderohet dytësor.
Katalanasit, që janë kampionët në fuqi të këtij turneu, do të luajnë ndaj Valencias, në ndeshjen e parë të mërkurën, në stadiumin “Camp Nou”.
Ndërkohë takimi i kthimit, që do të certifikojë se kush prej gjigantëve iberikë do të shkojë në finale, është programuar në impiantin “Mestalla” mbrëmjen e 7 shkurtit. Barcelona ka fituar 3 kupat e fundit të Mbretit dhe ka një rekord prej 29 trofesh të tillë, si askush tjetër.
Në gjysmëfinalen tjetër vazhdon “përralla” e Leganes në futbollin spanjoll. Formacioni nga rrethinat e Madridit, që eliminoi në mënyrë të bujshme Realin në çerekfinale, do të masë forcat me Sevillan.
Andaluzianët do të vizitojnë stadiumin modest të Leganesit më 1 shkurt, ndërsa kthimin do ta kenë në shtëpi. Me të gjitha gjasat, finalja e madhe e Kupës së Mbretit do të jetë në stadiumin “Wanda Metropolitano” më 21 prill.
Top Channel