Një gomone me rreth 900 kg marijuanë që po drejtohej drejt brigjeve të Garganos afër Foxhias në Itali, është kapur nga forcat e mbikëqyrjes ajrore italiane në bashkëpunim me agjencinë europiane “Frontex”.
Trafikantët, pasi kishin pikasur njësitë policore hodhën një pjesë të drogës në det dhe më pas e braktisën gomonen në plazh, duke u arratisur në errësirë.
Forcat italiane gjetën në gomone rreth 900 kg marijuanë, ndërsa arritën të identifikonin skafistët e t’i kapnin më pas me rroba ende të lagura, të fshehur në një vilë pranë vendit të arratisjes.
Sipas njoftimit zyrtar të Guardia Di Financas skafistët janë të dy shqiptarë nga Vlora, K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë. Marijuana e sekuestruar, një pjesë e së cilës është rikuperuar nga sipërfaqja e ujërave, ishte futur në 55 pako të përmasave të ndryshme, që në rast se do të përfundonte në tregun e zi do të kapte shifrën e rreth 8 milionë eurove.
Pas njoftimit të Guardia di Financas, Policia Shqiptare njoftoi se skafi ishte nisur nga Mali i Zi dhe të dy skafistët vlonjatë kanë hyrë në territorin malazes më datë 22 janar nga pika kufitare e Muriqanit.
Top Channel