Azilkërkuesit nuk duhen detyruar t’u nënshtrohen testeve psikologjike për të përcaktuar nëse janë apo jo homoseksualë. Ky është vendimi më i fundit i gjykatës më të lartë të drejtësisë në BE.
Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, i cili i konsideron si kontroverse testet për të përcaktuar orientimin seksual që përdoren shpesh në vlerësimin e pretendimeve për azil, është detyrues në të 28 vendet aktuale anëtare të Bashkimit Europian.
Rasti që është shqyrtuar nga kjo gjykatë i përket një nigeriani, i cili dorëzoi kërkesën për azil në Hungari në muajin prill të vitit 2015. Ai argumentoi se i frikësohej persekutimit në Nigeri për faktin se ishte gay.
Qindra homoseksualë i frikësohen në fakt persekutimeve në Afrikë, Lindjen e Mesme apo Çeçeni, e për këtë arsye kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian, sipas një raporti të Agjencisë së BE-së për të Drejtat themelore të Njeriut.
Pretendimi i nigerianit u refuzua, pasi një raport psikologu dështoi të konfirmonte nëse ishte apo jo homoseksual. Megjithatë, gjykata në Szeged të Hungarisë duhet ta rikonsiderojë tashmë vendimin, pas vendimmarrjes detyruese të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Në dhjetor të vitit 2014, e njëjta gjykatë kishte gjykuar një rast të ngjashëm në Holandë dhe doli në përfundimin se testet mbi seksualitetin dhunonin të drejtat e njeriut të azilkërkuesve.
Në vendimin e fundit, kjo gjykatë thekson se “forma të caktuara të raporteve të ekspertëve mund të jenë të dobishme” në të tilla raste, por shton se të tilla raporte ndërhyjnë në privatësinë e personit. Autoritetet duhet të përcaktojnë gjithashtu edhe seriozitetin e deklaratës së azilkërkuesve, thonë gjykatësit.
Në vitin 2013, Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi se azili u duhej dhënë personave, të cilët rezultojnë të burgosur në vendet e tyre për shkak të homoseksualitetit.
Top Channel