Siguria është shtuar ndjeshëm në disa pjesë të Indisë përpara se kinematë e saj të nisin shfaqjen e filmit më të ri të Bollivudit, i cili ka shkaktuar prej disa muajsh protesta të dhunshme.
Në njërën prej periferive të kryeqytetit Nju Delhi shkollat janë mbyllur pas sulmit që shënjestroi autobuzin e njërës prej tyre.
Kinematë e disa rajoneve të vendit kanë vendosur të mos e japin filmin debatndjellës “Padmaavat”. Grupet hindu të linjës së ashpër pretendojnë se rrëfenja e dashurisë së një mbretëreshe të ketij besimi me një monark musliman, përbën në fakt një shtrembërim të së vërtetës.
Shfaqja e filmit u vonua me dy muaj për shkak të reagimeve të skajshme. protestuesit kanë djegur automjete e kanë mësyrë kinemate në disa shtete me kërkesën e prerë që Padmaavat të mos jepet.
Ajo që i ka acaruar turmat në mënyrë të veçantë është supozimi se filmi përfshin edhe një skenë intime, për të cilën regjizori këmbëngul se nuk ekziston. Alauddin Khilji ka ekzistuar vertet, por edhe mbretëresha Rani Padmavati zë një vend të rëndësishëm në letërsinë indiane, provat se ajo është një personazh real historik, janë të pakta.
Emri i Ranit, ashtu si dhe e gjithë linja e filmit besohet të jenë mbështetur në poemen epike me të njëjtin emër të poetit të shekullit te 16-te, Malik Muhammad Jayasi, në të cilën thuhet se Padmavati u vetëflijua për të mbrojtur nderin e saj nga Khikji, që i kishte vrarë bashkëshortin në betejë.
Top Channel