Liga e Kombeve, UEFA zbulon edhe trofeun që do të fitohet

24/01/2018 17:44

Trofeu i Ligës së Kombeve të UEFA-s u zbulua në ditën e shortit, që vendosi dhe Kombëtaret europiane në grupet përkatëse në Lozanë.

Kupa që do të ngrejë skuadra më e fortë e kontinentit, në turneun unik, është frymëzuar nga logoja e kompeticionit të parë nën siglën e qeverisë së futbollit europian.

Flamuri përfaqëson 55 federatat anëtare dhe është i përbërë prej argjendi.

“Gjëja e parë që donim ishte që njerëzit të mendonin pikërisht se çfarë përfaqësonte ky trofe, kulmin e një kombi dhe ngritjen e një flamuri. Kur shikojmë këtë trofe, neve na duket sikur shikojmë të gjithë flamujt e kontinentit, si fituesit e vërtetë të kësaj gare”, tha Helder Pombinho, drejtor krijues i agjencisë që mori përsipër të prodhonte trofeun.

Kupa e Ligës së Kombeve peshon 7.5 kilogramë dhe është 71 cm e gjatë. Ajo do të njohë pronarin e parë në qershor të vitit 2019, kur të përfundojë dhe finalja e madhe e këtij turneu.

Top Channel