Pas 8 sezonesh dhe 18 trofesh të fituar me të njëjtën fanellë, aventura e Javier Mascheranos te Barcelona erdhi në kapitullin e fundit.
Mesfushori argjentinas, që trajnerët e kanë konsideruar një “xhol” për ta përshtatur në shumë pozicione, përshëndeti tifozët dhe shokët e ekipit në një konferencë për shtyp, ku nuk arriti t’i mbante dot lotët.
“Gjëja më e vështirë në të gjithë këtë aventurë te Barcelona është fakti që duhet të mendosh se një ditë duhet të largohesh. Ndihem i privilegjuar pasi 7 vite e gjysmë më parë erdha për të realizuar një ëndërr. Të largohem mes gjithë kësaj dashurie është gjëja më e mirë që mund të më ndodhte. Kur erdha, mendova se do ta kisha të vështirë mes gjithë futbollistëve të mëdhenj, por ishte e kundërta. Argëtim në stërvitje, të qeshura në lojë dhe në udhëtime”, tha Javier Mascherano.
Mascherano do të përshëndesë tifozët e Barcelonës për herë të fundit këtë të enjte, në derbin ndaj Espanyolit. Argjentinasi ka pranuar të transferohet në Kinë, te Hebei Fortune.
Top Channel