Angel Di Maria nuk e fsheh ambicien e tij përsa i përket Botërorit të vitit 2018. Futbollisti argjentinas, që aktualisht është pjesë e PSG nuk ka shfaqur as dyshimin më të vogël se bardhekaltrit janë favoritë për triumfin final në ngjarjen më të rëndësishme futbollistike që do të zhvillohet pas 5 muajsh në Rusi.

“Argjentina është një prej skuadrave favorite për të fituar Botërorin e Rusisë – tha Di Maria – por ka edhe skuadra të tjera që luajnë futboll të një niveli të lartë si Spanja dhe Franca. Ne duhet të punojmë shumë për të qëndruar në nivelet më të larta. Faza finale e Botërorit është ndryshe nga kualifikueset, sepse po s’fitove kthehesh në shtëpi dhe kjo është arsyeja që i bën ndeshjet e këtij evenimenti kaq të veçanta.

Angel Di Maria foli edhe për sulmuesin e Barcelonës Lionel Messi, duke mos i kursyer lëvdatat për të. “Messi është futbollisti më i mirë nga të gjithë – shtoi Di Maria – fitorja e një Kupe Bote vetëm sa do ta konfirmonte këtë. Shpresoj që futbolli t’i japë mundësinë për të fituar Botërorin do të ishte diçka e bukur për të gjithë. Ka fituar gjithçka në karrierë dhe unë shpresoj që ta arrijë këtë edhe me Argjentinën.

Top Channel