Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno e përshkroi themeluesin e “Wikileaks”, Julian Assange, si një problem të trashëguar gjatë një interviste televizive.
Assange jeton në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që prej qershorit të vitit 2012, kur kërkoi azil politik në këtë vend.
Ai kërkohej për akuza për dhunë seksuale në Suedi, akuza që tashmë janë rrëzuar, por i druhet ekstradimit në SHBA.
Së fundmi, Mbretëria e Bashkuar refuzoi që ta njohë Assange si agjent diplomatik, diçka që do t’i kishte dhënë atij imunitet.
I pyetur për situatën, presidenti Moreno tha se Julian Assange ishte më shumë sesa një bezdisje për qeverinë e tij.
Assange e përfitoi azilin nga Rafael Correa, paraardhësi i presidentit aktual Lenin Moreno. Qeveria e këtij të fundit ka premtuar se do ta respektojë azilin e Assange, por ndërkohë po kërkon mënyra që të zgjidhë situatën pa rrezikuar ekstradimin e tij në SHBA, ku themeluesi i “Wikileaks” kërkohet për publikimin e dosjeve sekrete të vitit 2010.
Presidenti i Ekuadorit Moreno tha se ishte i zhgënjyer nga refuzimi britanik për t’i dhënë status diplomatik Assange, e problemi mbetet i pazgjidhur.
Por, autoritetet britanike thanë se, nëse Assange merr imunitet, kjo zgjidh vetëm problemin e Ekuadorit, ndërsa Londra kërkoi që ai të dalë nga Ambasada dhe të përballet me drejtësinë.
Top Channel