Mund të ketë kaluar më shumë se një dekadë që kur e ngjiti premierë në vitin 2007 rolin që i rri më fort për zemër, por për mexosopranon Vikena Kamenica të sjellë sërish “Carmen”-in është si ta interpretonte për herë të parë.

“Është një rol që më jep shumë emocion sepse është një nga rolet që ka shumë ngjyra, ka shumë dinamikë, ka shumë kontraste të bukura. Ajo që më duket interesante është jeta e një femre në 3 orë. Nuk mund të them se të gjitha femrat kanë këto lloj kontrastesh kaq të forta në jetën e tyre sepse po flasim për Carmen-in dhe personalitetin e saj shumë të veçantë, në një dimension shumë të madh”, deklaroi Kamenica.

Ky produksion përfshin si rrallëherë thuajse të gjithë stafin e TKOB-së, duke sjellë edhe për herë të parë baritonin Gëzim Myshketa në rolin e regjisorit, që krah mexosopranos ngjit për herë të parë në skenën shqiptare një tenor nga Kili.

“Dy Don Hose kanë mbetur në memorien time, ndonëse e kam interpretuar shumë shpesh këtë rol. Një në Siçili, kur e kam interpretuar në një produksion gjigant, i cili u transmetua në “livestream” në të gjithë botën në kohë reale dhe një tjetër në Oman, kur punova me fituesin e çmimit Oscar, Gianni Quaranta. Jam i sigurt që edhe kjo eksperiencë në Shqipëri do ta shënjojë jetën time në mënyrë pozitive”, tha tenori Giancarlo Monslave.

“Carmen” do të ngjitet premierë në skenën e Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e 30 janarit e do të vijojë deri në datën 3 shkurt.

Top Channel