Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta hapin Ambasadën e tyre në Jeruzalem para fundit të vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, para Parlamentit izraelit, ku konfirmoi se Jeruzalemi është kryeqyteti i shtetit të Izraelit.
“Falë presidentit Trump, aleanca mes dy vendeve tona nuk ka qenë kurrë më e fortë dhe miqësia mes popujve tanë nuk ka qenë kurrë më e thellë. Jam këtu që t’iu transmetoj një mesazh të thjeshtë nga zemrat e amerikanëve. Amerika qëndron me Izraelin. Ne qëndrojmë me Izraelin, sepse kauza juaj është e jona, vlerat tuaja janë tonat, lufta juaj është e jona”, tha Mike Pence.
Zëvendëspresidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara, me njohjen e Jeruzalemit zgjodhën realitetin ndaj fantazisë, ndërsa shtoi se kjo lëvizje do të krijojë mundësinë e zhvillimit të negociatave me besim reciprok mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Fjalimi i tij në “Kneset”, siç njihet Parlamenti izraelit, u ndërpre për një moment nga deputetët arabo-izrelitë, të cilët protestuan kundër fjalëve të tij dhe u shoqëruan jashtë salle nga agjentët e sigurisë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke mirëpritur vizitorin e tij tha se kishte pritur qindra udhëheqës botërorë, por kjo ishte hera e parë që të dy krerët nën një zë thonë se Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit.
I pyetur nga gazetarët nëse spostimi i Ambasadës amerikane mund të bëhet deri në fund të vitit 2019, Netanjahu tha se kjo mund të bëhet edhe javën e ardhshme, por do të bëhet në kohën e vet.
Top Channel