Vetëvendosja voton kandidatin e vetëm për kryetar, Albin Kurtin

21/01/2018 11:08

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje patën mundësinë këtë të diel të votojnë për kryetarin e ri të partisë. Gara, në fakt as që mund të quhet e tillë. Kandidati i vetëm për kreun e partisë thellësisht të përçarë është themeluesi i saj, Albin Kurti.

Por, edhe pse nuk ka përballë asnjë rival, pasi hodhi votën e tij, Kurti i cilësoi zgjedhjet brenda partisë si demokratike e i ftoi të gjithë anëtarët e Vetëvendosjes të votonin pa imponime.

“Unë e shfrytëzova të drejtën, e përdora mundësinë që të votoj dhe i ftoj të gjithë anëtarët e Lëvizjes sonë, që në këtë ditë të bardhë të zgjedhin lirshëm e të përcaktohen në mënyrë demokratike. Lëvizja Vetëvendosje është jo vetëm subjekti më politik, më social, më patriotik, por është njëkohësisht edhe subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti nuk pranoi nga ana tjetër të komentonte nëse këto zgjedhje do të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve të brendshme që kanë pllakosur Vetëvendosjen, duke rrezikuar ta çojnë drejt ndarjes, siç paralajmërojnë disa analistë vendas.

Një sërë dorëheqjesh të njëpasnjëshme ekspozuan përpara syve të publikut nivelin real të ndasive brenda forcës së themeluar nga Kurti në vitin 2004, e të përballur sot me krizën më të rëndë që prej krijimit të saj.

Një ditë më parë, ish-kryetari Visar Ymeri deklaroi se problemet që kërcënojnë ta shtyjnë Vetëvendosjen drejt ndarjes kanë nisur në fakt që tetorin e vitit 2016, përmes një fushate të orientuar ndaj disa personave me dy akuza kryesore: njëra se njerëz të caktuar dyshohej ose punonin me vetëdije për shërbime të huaja, gjë që sipas Ymerit nuk është faktuar kurrë, dhe tjetra se ka një rehati të njerëzve nëpër pozicionet e tyre, të cilët i perceptojnë në mënyrë të gabuar pozitat e tyre si pushtet mbi organizatën.

Top Channel