Homazhe për “21 Janarin”, familjarët e viktimave: Presim ende drejtësi!

21/01/2018 11:52

Më 21 janar 2011, gjatë protestës së thirrur nga opozita socialiste humbën jetën përpara Kryeminstrisë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Më 21 janar 2018, brenda ambienteve të Kryeministrisë, Edi Rama priti familjarët e viktimave, si përvit që kur është në pushtet. Kryeministri u zotua që drejtësia do të vihet në vend, jo përmes vullnetit të qeverisë që ai drejton, por përmes zbatimit të Reformës në drejtësi.

“Reforma në Drejtësi ka kaluar. Ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur”, deklaroi Rama.

Te Reforma në Drejtësi beson edhe Ana Veizi, vajza e Ziverit, që sot është maturante dhe dëshiron që një ditë të bëhet gjyqtare.

“Me sa kam parë ende nuk është vendosur drejtësi. Megjithatë, unë vazhdoj të kem besim. Tani që është miratuar Reforma në Drejtësi kam një shpresë më shumë për të arritur qëllimin tonë. Dëmshpërblimet nuk mjaftojnë, sepse ato dhe drejtësia janë anë të ndryshme. Mund të jetë një hap drejt drejtësisë, por jo drejtësia që ne presim”, tha Ana Veizi.

Në dhjetor, qeveria u akordoi 970 mijë euro shtesë familjeve të 4 viktimave. Ky është dëmshpërblimi i dytë pas atij të 18 janarit të vitit të kaluar, që e çoi shifrën në një total mbi 2 milionë euro.

Qeveria argumentoi se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e Gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e Gardës, Andrea Prendi, me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Ajo që nuk u përcaktua dot ishte arma nga u qëllua plumbi që kapi Aleks Nikën, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar. Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor, e madje duke premtuar dhënien e drejtësisë.

Me këtë këst të dytë dëmshpërblimi dhe 2.1 milionë euro në total, socialistët i kanë vënë premtimit të tyre për drejtësi një çmim financiar prej 525 mijë euro për çdo të vrarë nga Garda e Republikës. Por, xhaxhai i njërit prej viktimave, Aleks Nika, pret një rihapje të procesit.

“Ne që në fillim kemi pasur përshtypjen ose informacionin se plumbi që i ka marrë jetën Aleksit ka dalë nga arma e Ndrea Prendit. Ka prova që e vërtetojnë se është ajo armë, pastaj se kush e ka qëlluar, i është marrë arma apo e ka shkrepur vet ish-komandanti i Gardës, kjo duhet të dalë nga hetimi”, tha Mark Nika.

I kontaktuar nga Top Channel, avokati i familjarëve Dorian Matlia konfirmoi se procesi i dëmshpërblimeve është drejt përfundimit, ndërsa problemi mbetet te procesi penal. Pas arritjes së marrëveshjes mes familjarëve të viktimave dhe qeverisë për rishikimin e procesit penal, pranuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, nuk ka asnjë zhvillim pozitiv.

Kjo, sepse Gjykata e Lartë nuk pranon të riçelë procesin dhe e ka çuar për kompetencë në Gjykatën e Rrethit. Ndonëse ka ende mundësi juridike për këtë çështje, avokati Malia thotë se nuk po shohin interesin e duhur nga Avokatura e Shtetit, sepse kjo – thotë ai, – është edhe një çështje e qeverisë për të rivendosur në vend të drejtat e shkelura.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel