Rally Dakar 2018, Walkner e Sainz, pranë triumfit

20/01/2018 14:59

Etapa e 13 e Rally Dakar e afron akoma më shumë Mattias Walkner drejt fitores përfundimtare të evenimentit në kategorinë e motorëve.

Në 522 km e kësaj etape e parafundit për edicionin e këtij viti, austriaku u mjaftua me vendin e katërt,  për të hipotekuar fitoren e madhe, ndërkohë që ai që triumfoi në etapë ishte australiani Toby Price me 4 orë 48 minuta e 33 sekonda, duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë Kevin Benavides dhe Antoine Meo. Në klasifikimin e përgjithshëm, Walkner ka krijuar një avantazh prej më shumë se 22 minutash me Benavides të vendit të dytë, ndërkohë që në të tretin gjendet Toby Price.

Në kategorinë e makinave, Nasser Al Attiyah fitoi edhe etapën e 13 të Rally Dakar me 5 orë 2 minuta e 22 sekonda i ndjekur në vendin  e dytë nga argjentinasi Alvarez me 11 minuta e 16 sekonda më shumë se Al Attiyah, ndërsa vendi i tretë ishte për Giniel De Villiers.

Në klasifikimin e përgjithshëm, Sainz është i sigurt në krye dhe shumë pranë fitores së evenimentit. Spanjolli është i shkëputur me 46 minuta e 18 sekonda nga Al Attiyah në vendin e dytë, ndërsa i treti ndodhet pikërisht De Villiers që e zbriti në të katërtin Peterhansel.

Top Channel