Shtrëngata vdekjeprurëse shkakton 4 viktima në Holandë e Gjermani

18/01/2018 17:10

Katër persona kanë mbetur të vdekur nga rënia e pemëve apo nga mbetje të tjera, teksa një stuhi e ashpër vdekjeprurëse ka mbërthyer thuajse të gjithë veriun e Europës.

Aksidentet si pasojë e stuhisë kanë vrarë 3 persona në Holandë dhe një në Gjermaninë veriperëndimore. Shtrëngatat e fuqishme, me erëra që lëviznin me mbi 140 km në orë, shkaktuan kaos në transport.

Të gjitha shërbimet hekurudhore të distancave të gjata në Gjermani, si dhe disa shërbime ndërrajonale, janë anuluar për pjesën e mbetur të kësaj të enjteje. Fluturimet në Aeroportin “Schiphol” të Amsterdamit janë pezulluar gjithashtu për pak kohë.

“Schiphol”, një nga aeroportet më të ngarkuara në Europë, ka mbyllur dy nga 3 seksionet e nisjes, pasi platetë e tarracave u shkulën nga godina e terminalit.

Më shumë se 300 fluturime u anuluan dhe aeroporti njoftoi se pasagjerët duhet të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre “online”, apo të kontaktojnë me agjencitë ajrore.

Stuhia pritet të kalojë nga perëndimi në lindje të Gjermanisë, përpara se të mbërrijë në Poloni gjatë natës.

Stuhia shkaktoi erëra të fuqishme në Britaninë e Madhe gjatë natës së të mërkurës dhe mëngjesit të së enjtes, duke rrezuar pemë dhe duke shkëputur energjinë elektrike për dhjetëra mijëra shtëpi.

Madje një ujk arriti të arratisej nga një kopsht zoologjik kur erërat shkulën gardhet e telit, por kafsha u kap e padëmtuar pas 6 orësh.

Në Gjermani, ku stuhia po quhet “Friederike”, meteorologët kanë paralajmëruar njerëzit të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, ndërsa shumë shkolla janë mbyllur.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA